Genta e “BB5” në janar nxjerr në shitje librin ”Ndiqe zemrën time”

TIRANE- Edhe një tjetër personazh publik publikon një libër personal. Bëhet fjalë për ish-banoren e njohur të “BB5”, Genta Gjalpi, e cila ka kohë që është zhdukur nga qarkullimi, vetëm e vetëm për të sjellë diçka të bukur për fansat e saj, të cilët e kanë përkrahur deri më tani dhe vazhdojnë të jenë pas saj. Libri i Gentës do të dalë në shitje diku nga mesi i muajit janar të vitit të ardhshëm, ndërsa ne realizuam një bisedë me të, duke zbuluar dhe disa pjesë të shkruara në vetë librin e saj. 

”Pasionin për të shkruar e kam trashëguar nga babai im, i cili ka qenë dhe financues i librit tim. Në fund të nëntorit, babai im kishte ditëlindjen, kishte mbledhur një shumë të konsiderueshme lekësh për të festuar 50-vjetorin e tij, por në vend që t’i bëja unë dhuratë, më bëri ai, duke më thënë se ai do të ishte më shumë i lumtur sikur të realizohej ëndrra ime. Që nga ai moment, për gati një muaj rresht jam strukur si urithi në shtëpinë e gjyshërve të mi, duke i dhënë dorën e fundit atij libri, të cilin kisha më shumë se dy vite që e punoja. Kjo ishte arsyeja pse unë kam humbur këto kohë. Shija e “BB” dhe jehona e tij mbaroi, tashmë unë dua të njihem si një vajzë e cila ka shumë për të shprehur dhe këtë gjë do ta bëj me anë të të shkruarit, pasi ju të gjithë besoj se e dini pasionin tim për letërsinë, poezinë, prozën”, thekson banorja e “BB5”, e cila tregon se ky libër do të ishte një dhuratë e bukur për të dashurit për festën e Shën Valentinit. 

”Personazh kryesor është një vajzë tipike e ditëve tona, e cila endet mes ngjarjeve të jetës derisa gjen qetësinë dhe dashurinë e saj. “Kam marrë diçka nga çdo lloj femre që kam njohur dhe kam krijuar këtë karakter, tek e cila do të gjej veten çdo vajzë sot. E them me bindje që s’do dështoj dhe se është gjëja që e kam bërë me më shumë dëshirë dhe dashuri në jetën time dhe do të jetë një libër të cilit mund t’ia dhuroni njeriut që doni me rastin e Shën Valentinit”, thotë Genta, e cila në vazhdim zbulon dhe disa pjesë të zgjedhura të librit të saj.