Konflikti për një femër, vritet me thikë 44-vjeçari në Kavajë, plagosen 3 të tjerë

KAVAJE- Konflikti për një femër i ka marrë jetën një 44-vjeçari nga Kavaja, ndërsa janë plagosur rëndë tre të tjerë. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit bëjnë me dije se gjatë përleshjes me thika ka humbur jetën Artur Kollçaku, ndërsa kanë marrë plagë të rënda 20- vjeçari Elvis Kollçaku, 35- vjeçari Aldo Gryka dhe 35- vjeçari Sajmir Fikaj. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi qytetin e Kavajës ndodhi pranë një lokali, tek ish-fabrika e qelqit në Kavajë. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se ngjarja ka marrë shkas nga një lidhje jashtëmartesore e viktimës me nënën e 20-vjeçarit Kollçaku. 

NGJARJA Rreth orës 20:30, Artur Kollçaku i shoqëruar nga Sajmir Fikaj ka shkuar për të pirë kafe në lokalin në pronësi të Aldo Grykës. Sapo janë ulur, kamarieri i lokalit, Elvis Kollçaku ka nisur të debatojë ashpër me 44-vjeçarin (sipas policisë dy personat në fjalë nuk kanë lidhje gjaku). Pas sharjeve dhe ofendimeve të ndërsjellta, ata janë përleshur me njëri-tjetrin. Ndërsa situata është acaruar keqazi, ka ndërhyrë për t'i ndarë pronari i lokalit. Gjithashtu, në sherr është përfshirë dhe shoku i 44-vjeçarit, Fikaj. Mësohet se katër personat e përfshirë në konflikt kanë dalë nga lokali dhe janë përleshur me thika e biçakë në ambientet para ndërtesës. Sipas burimeve policore, Artur Kollçaku ka goditur me thikë pronarin e lokalit, Aldo Gryka, i cili ka mbetur i plagosur. Mësohet se në përleshje e sipër ky i fundit ka tentuar që të mbrojë kamarierin 20-vjeçar. Më pas Elvis Kollçaku ka goditur 10 herë me thikë 44-vjeçarin, i cili ka mbetur gjithashtu i plagosur rëndë. Gjatë përleshjes është plagosur po me 10 goditje thike kamarieri i lokalit si dhe Sajmir Fikaj. Klientë të lokalit dhe kalimtarë të rastit janë tmerruar, ndaj kanë sinjalizuar policinë. Dhjetëra uniforma blu kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa ambulanca është vonuar. Më pas katër të plagosurit janë nisur për në spitalin rajonal të Durrësit. Po të njëjtat burime pohojnë se Artur Kollçaku ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital. Mjekë të spitalit të Durrësit sqarojnë se Fikaj dhe Gryka janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa që 20-vjeçari Elvis Kollçaku ndodhet në gjendje kritike për jetën. 

HETIMI Pas kryerjes hetimeve paraprake, burime nga policia pohuan se konflikti ka nisur mes kamarierit 20- vjeçar dhe Artur Kollçakut. Sipas ekspertëve të çështjes, i riu kishte mësuar se nëna e tij 40-vjeçare prej disa kohësh kishte lidhje jashtëmartesore me 44-vjeçarin. Kur ky i fundit ka hyrë në lokal për të pirë kafe, kamarieri është indinjuar pasi ka menduar se 44- vjeçari po i bënte karshillëk. Pavarësisht këtij versioni, po hetohet edhe në pista të tjera. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Elvis Kollçaku kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për veprën penale "Armëmbajtje pa leje".